Ditën kur Gjykata Kushtetuese e pati dhënë lajmin se gjyqtari amerikan, Robert Carolan, ka dhënë dorëheqje nga mandati që i ishte konfirmuar nga presidentja e shtetit të Kosovës, pata reaguar duke thënë se ai ka qenë dashur të largohej qysh më 31 gusht, kur edhe i kishte skaduar kontrata e nënshkruar nga ish-shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith. Pata shprehur bindjen se po të vepronte ashtu, Carolan do t’i jepte leksion si presidentes, Atifete Jahjaga, ashtu edhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, se rendi juridik dhe kushtetues nuk duhen shkelur me asnjë çmim. Pra, do t’u tregonte se pavarësisht interesit të tij personal për të qëndruar në Kosovë, nuk mund t’i thyente parimet të cilat i ka ndërtuar gjatë karrierës si gjyqtar duke e pranuar një mandat që nuk ka mbështetje në Kushtetutën, të cilën ka qenë i thirrur ta interpretojë në mënyrën më të drejtë.
Por, ja që Carolan, dha një shembull tjetër. Në radhë të parë tregoi se nuk është parimor, e më pas dëshmoi se nuk e respekton rendin kushtetues të një vendi të huaj për të, siç është Kosova.
E para, sikur të ishte parimor, nuk do të kthehej në të njëjtën pozitë nga e cila ka dhënë një herë dorëheqje për shkak të pakënaqësisë me nivelin e pagës. Dhe e dyta, sikur të ishte respektues i Kushtetutës, do t’i ndiqte procedurat e rregullta për kthim në zyrën e braktisur. Ai zgjodhi të mos e bëjë as njërën e as tjetrën. Fundja, çështja e parimeve ka të bëjë me personalitetin e tij dhe s’duhet marrë shumë me këtë punë, por çështja e mosrespektimit të ligjshmërisë është çështje që duhet të na preokupoj të gjithë ne, qytetarëve të Kosovës.
Carolanit, pavarësisht pritjes me krahëhapur nga Enver Hasani, duhet t’i tregohet se rikthimi i tij është i kundërligjshëm. Se ditën që ka dhënë dorëheqje, i ka pushuar mandati. Duhet t’i përkujtohet neni 9 i Ligjit për Gjykatën Kushtetuese i cili në mënyrë eksplicite e përcakton se: “Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese i pushon mandati para skadimit të kohës së rregullt për të cilën është zgjedhur në rast të dorëheqjes”. Ai e ka ndërprerë mandatin më 15 shtator, vetëm dy javë pasi presidentja Jahjaga e ka dekretuar.
Dorëheqjen e tij e ka bërë publike vetë Gjykata me shpjegimin se këtë hap e ka ndërmarrë për arsye personale dhe se tash nuk do të jetë më gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës. Pra, atë ditë atij, zyrtarisht i ka pushuar funksioni në Gjykatë. Dhe, nga ajo ditë kanë filluar përpjekjet e Zyrës së BE-së në Prishtinë për ta gjetur zëvendësuesin e tij. Në momentin që i ka rënë pishman për dorëheqje, Carolan është dashur t’iu nënshtrohet procedurave për emërim si gjyqtar i ri i Gjykatës Kushtetuese.
Nëse, do t’i falej veprimi i ngutshëm, atëherë presidentja do të lëshonte dekret të ri për të, që do të mbante datën e fillimit të mandatit. Por, kjo nuk ka ngjarë. Presidentja nuk ka lëshuar kurrfarë njoftimi për të më 1 tetor. Kthimin e tij e ka “arsyetuar” vetëm Gjykata, duke u thirrur në dekretimin e 31 gushtit nga ana e presidentes.
Kthimi i tij, ndonëse e ka nxjerrë Gjykatën Kushtetuese nga pozita e pamundësisë për të marrë vendime në lëndët politike, nuk mund të arsyetohet në asnjë formë. Kujt i duhet një Gjykatë që kthehet në funksion në formë të paligjshme. E për më tepër, kujt i duhet një gjykatë, në të cilën hyhet e dilet si në pijetore.
Nuk është rastësi që kthimi i gjyqtarit Carolan u bë pikërisht në kohën kur liderët partiakë po zhvillojnë takime veç e veç me presidenten Jahjaga, në përpjekje për të gjetur një rrugë për konstituimin e Kuvendit. Sytë e veshët e qytetarëve janë të drejtuar kah ta. Me arsye presin ta zgjidhin krizën politike. Atë, krizë e cila u krijua pikërisht me “kontributin” e Gjykatës, të cilës i është rikthyer Carolan. Të asaj Gjykate që theu parimin demokratik ku shumica është përcaktuese. Të asaj Gjykate që udhëhiqet nga një njeri që nuk sheh krizë as politike e as institucionale në vend.
Carolan, shpesh është lavdëruar për qëndrime profesionale në shqyrtim të rasteve të ngritura në Kushtetuese. Përderisa i ka pranuar lëvdatat, tani duhet t’i pranojë edhe kritikat. Keq ka bërë!
(Autori është redaktor i politikës në gazetën Tribuna)