Guvernatori i Bankës së Anglisë, në një intervistë për CNBC, ka deklaruar se dobësia e ekonomisë globale, inflacioni i ulët dhe problemet në ekonomitë europiane mund të ndikojnë në politikat monetare që do të ndërmarrë banka muajin e ardhshëm.
Sipas analistëve, kjo deklaratë e Mark Carney do të thotë se Banka e Anglisë mund të mos rrisë normën bazë të interesit, sipas planifikimeve të mëparshme. Carney nuk ka sinjalizuar ndonjë ndryshim të dukshëm në politkat monetare, por ai është shprehur i sigurt se Banka e Anglisë do të marrë në konsideratë zhvillimet e fundit, duke përfshirë uljen e parashikimit për rritjen globale nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe të dhënat negative të shumë ekonomive europiane.
“Po përballemi me një dobësi, sidomos në tregjet në zhvillim, por nuk mund të përjashtojmë Europën, që është partneri më i madh tregtar i Britanisë së Madhe”, deklaroi Carney. Komentet e tij janë në linjë me deklaratat e guvernatorëve të tjerë të cilët merrnin pjesë në takimin e vjeshtës së Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ata shprehën bindjen se ngadalësimi i ekonomisë globale do të ndikojë në politkat monetare. Edhe zëvendëspresidenti i Rezervës Federale tha se, nëse rritja ekonomike në vendet e tjera është e dobët, pasojat që do të transmetohen tek ekonomia amerikane do të detyrojnë bankën qendrore të dalë më ngadalë nga politika monetare akomoduese. /Telegrafi/