Carlos Sainz festoi triumfin e tij në Çmimin e Madh të Australisë duke vozitur Ferrarin e tij në pjesën ku ishte e ndaluar. Kjo lëvizje u vu në dukje nga Martin Brundle, që është përgjegjës për rregulloren e FIA-s pasi spanjolli injoroi një zyrtar.
Sainz shmangi kërcënimin e shokut të tij të skuadrës Charles Leclerc dhe një sulm ndaj Lando Norris në Melburn për të marrë fitoren e parë për këtë sezon.
Pasi doli nga makina e tij, Sainz shkoi drejt ekuipazhit të Ferrarit që po priste të festonte me të. Një zyrtar i FIA-s u përpoq t’i tregonte atij rrugën e peshores për të përfunduar peshimin e detyrueshëm pas garës, por 29-vjeçari ishte më i zënë me përqafimin e inxhinierëve të tij.
Në transmetimin e Sky Sports F1, Brundle më pas pyeti nëse ai veprim ishte apo jo brenda rregulloreve të FIA-s, gjë që bëri që komentatori kryesor David Croft të thoshte: “Unë nuk jam teknikisht i sigurt që lejohet, por kujt i intereson”.
Brundle më pas e vazhdoi këtë duke shtuar: “Ju nuk duhet t’i afroheni ekipit tuaj, përveç nëse dikush ju fut një çelës në xhep ose diçka, pak peshë shtesë”.
Sipas rregulloreve të F1, shoferët duhet të peshojnë me bolidin e tyre si para ashtu edhe pas garave për t’u siguruar që të mos e kenë shkelur pragun e peshës minimale prej 80 kilogramë. Ky rregull ekziston për arsye sigurie dhe drejtësie. /Telegrafi/