Është raportuar se Juventusi ka kontaktuar Carlo Ancelottin, por nuk ka asgjë përfundimtare në këtë drejtim.
Ish-trajneri i Milanit vite më parë për dy vjet drejtoi Bianconerët, por u shkarkua në verën e vitit 2001, pasi nuk arriti të fitojë ndonjë trofe në garat evropiane.
Carletto aktualisht është një trajner i lirë pasi u shkarkua nga Bayern Munich dhe thuhet se do të merr drejtimin e torinezëve nëse largohet pas këtij sezoni Massimiliano Allegri.
“Ancelotti është kërkuar nga shumë klube, por nuk ka pas ndonjë ofertë përfundimtare”, tha Alessandro Alciato, i cili është bashkautor i autobiografisë së trajnerit italian.
“Është një hipotezë sugjestive në lidhje me Juventusin. Do të ishte një rikthim, është një ide. Ka një marrëdhënie të shkëlqyeshme me [Presidentin Andrea] Agnelli, dhe një marrëdhënie të mirë me drejtorët aktual. Marrëdhënia me tifozët është shumë e keqe”, tha Alciato.
Çdo lëvizje do të varet nga e ardhmja e Allegrit, ndërsa Ancelotti gjithashtu ka qenë i lidhur me Arsenalin dhe Chelsean.
Italiani thuhet se ka refuzuar drejtimin e kombëtares italiane pasi që kërkon të drejtoj ndonjë klub evropian. /Telegrafi/