Reperja e popullarizuar amerikane, Cardi B, ditën e djeshme (e diel) ka festuar ditëlindjen në një festë madhështore në Las Vegas.
Ajo organizoi një festë luksoze me miqtë e saj, ndërkohë që në këtë eveniment nuk mungoi as bashkëshorti Offset, të cilit i kërkoi divorcin para një kohe.
Krahas gjithë kësaj, ajo që mori vëmendje të madhe ishte dukja glamuroze e yllit të “Bodak Yellow”.
Ajo për këtë mbrëmje të rëndësishme zgjodhi një fustan unik të stilistes nga Prizreni, Lena Berisha.
Fustani i zgjedhur nga Belcalis Marlenis Almanzar (emri i vërtetë i Cardi B) është pjesë e koleksionit të fundit të kreatores së njohur, i cili u prezantua nga modelja Oriola Marashi.
Fotografitë tashmë janë shpërndarë gjithandej në rrjetet sociale, duke u cilësuar si një hap i rëndësishëm dhe mjaft i suksesshëm për stilisten.
Përveç me Cardi B, Lena ka bashkëpunuar edhe me yje të tjera ndërkombëtare përfshirë këtu edhe Bebe Rexhën. /Telegrafi/