Telegrafi

Cardi B “duke dëgjuar muzikë shqip”? Silva Gunbardhi bie pre e videove false të montuara në internet

Nuk janë të pakta rastet kur figurat publike bien pre e mashtrimeve të ndryshme në rrjetet sociale.

Së fundmi në rrjetin social Twitter dhe Instagram u shpërnda një video, ku shfaqet reperja me famë botërore Cardi B, në një nga lidhjet e saj direkte me fansat në Instagram, teksa në sfond dëgjohet një këngë shqiptare.

Bëhet fjalë për këngën e famshme të vitit 2013, “Të ka lali shpirt” të këngëtarëve Silva Gunbardhi, Dafi Derti e Mandi Nishtulla, e cila aso kohe ishte kthyer në hit.

Videoja e shpërndarë në rrjetet sociale Twitter dhe Instagram nuk është e vërtetë, por e montuar, dhe videoja reale e reperes Cardi B me fansat e saj në Instagram daton që nga 22 marsi i këtij viti.

Edhe vet Silva mesa duket e entuziazmuar nga ajo që ka parë, ka rënë pre e një mashtrimi të tillë, duke e publikuar videon në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, duke besuar se Cardi B ka dëgjuar vërtetë këngën “Të ka lali shpirt”.

Foto: Silva Gunbardhi/Instagram

“Të dua Cardi B”, shkroi këngëtarja Gunbardhi në mbishkrimin e videos së ndarë me ndjekësit në Instagram.

Por në fakt, videon reale mund ta shihni nga minutazhi 0:37, kur Cardi B largohet për pak nga lidhja direkte me fansat, por që në sfond nuk lëshon këngën shqiptare siç pretendohet në videon mashtruese.

Se videoja është e montuar këtë e pranoi edhe autori i videos false, përmes një postimi të bërë në rrjetin social Twitter.

“E di që të gjithë shpresuan se kjo të ishte reale, por rezulton të jetë e edituar nga unë personalisht. Ne jemi të mashtruar”, shkroi anonimi me llogarinë e quajtur rat.

Kjo nuk është hera e parë që figurat publike bien pre e mashtrimeve të tilla në rrjetet sociale, ndaj pretendohet gjithmonë që të tregohet kujdes i shtuar dhe verifikim në raste të tilla.

“Të ka lali shpirt” përndryshe ishte njëra ndër këngët më të suksesshme shqiptare të vitit 2013, e cila për vite me radhë u listua si kënga shqiptare me më së shumti klikime në YouTube, dhe tani pas shtatë vitesh numëron mbi 550 milionë shikime në këtë kanal. /Telegrafi/