Site icon Telegrafi

Canziba dhe Shehu nga transfere të lira, në startues të mbrojtjes së çeliktë të Flamurtarit

Dy transferet e lira që u transferuan nga Rahoveci te Flamurtari, kanë arritur që të zënë vendet e titullarit.

Bëhet fjalë për mbrojtësin 19 vjeçar, Durim Canziba dhe portierin 20 vjeç, Besnik Shehu. I pari dallohet me aftësi të jashtëzakonshme të lexueshmërisë së aksioneve të kundërshtarëve dhe me potencë të madhe fizike.

Partneriteti i tij me Besnikun ka rezultuar shumë i suksesshëm pasi që Flamurtari ka pranuar vetëm 15 gola në 18 ndeshje në stinorin vjeshtor dhe gjendet në vendin e tetë, pozitë nga e cila është e arritshme vendi i tretë që dërgon në Superligë. Pikërisht ky është edhe synimi i dyshes.

“Dua të falënderoj fillimisht trajnerin për besimin. Ai ka qenë vendimtar që unë të qëndroj te Flamurtari. Më ka dhënë besim të madh që të stërvitem dhe që të arrij një formë të mirë. Mbrojtja është reparti më i rëndësishëm i një skuadre dhe ne kemi bërë të pamundurën me Besnikun që të jemi sa më konstant dhe që të pranojmë sa më pak gola”.

“Këtë edhe kemi arritur, ndonëse me pozitën në tabelë të ekipit tonë nuk jemi aq të kënaqur. Ne synojmë inkuadrimin në Superligë dhe shpresojmë se me një konsolidim të mirë të ekipit do ta arrijmë këtë në stinorin pranveror. Jemi duke punuar shumë në këtë drejtim. Falënderoj edhe tifozët e Flamurtarit që na kanë përkrahur, pasi që fillimi ka qenë shumë i vështirë për ne, kemi ardhur nga asgjëja dhe kemi bërë një mrekulli”, ka thënë Canziba.

Nga ana tjetër, portieri Shehu shtoi se ai ka synime të mëdha dhe shpreson se mbrojtja do ta përkrahë atë që të mbajë portën sa më të pastër.

Mbrojtësit e rinj rahovecian janë duke kaluar në formë të shkëlqyer, gjë që ka nxitur edhe interesimin e disa klubeve kosovare, të gjitha këto interesime joformale pa ndonjë gjë konkrete. /Telegrafi/

Exit mobile version