Lorik Cana i është bashkuar listës së gjatë të personaliteteve të njohura shqiptarë që kanë kërkuar lirimin e Ramush Haradinajt.
Policia franceze e arrestoi të mërkurën ish-kryeministrin e Kosovës, njëherësh ish-komandant i UÇK-së, me një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia.
“Desha të jap gjithë mbështetjen time për z. Ramush Haradinajn, i cili edhe një herë është persekutuar nga një urdhër-arrest ndërkombëtar, i lëshuar nga shteti serb dhe i cili është i motivuar politikisht, për faktet që z. Haradinaj është shpallur i pafajshëm dy herë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar!!!”.
“Të gjithë shpresojmë që drejtësia franceze ta lejojë kthimin e shpejtë të z. Haradinajt te familja e tij. Miqësisht, Lorik Cana”, shkruan futbollisti shqiptar.
Theksojmë se një pjesë të gjatë të karrierës së tij, Cana e ka kaluar në Francë. Ai ka luajtur te Paris Saint-Germaini (2000-2005), Marseille (2005-2009) dhe së fundmi te Nantes (2015–2016). /Telegrafi/