Telegrafi

Camilla, Dukesha e Cornwall-it do ta marrë titullin Mbretëreshë kur Princi Charles bëhet Mbret

Mbretëresha Elizabeta e Dytë ka deklaruar se dëshiron që Camilla, Dukesha e Cornwall-it, të njihet si Mbretëreshë, (Queen Consort) kur Princi Charles të bëhet Mbret.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, në një mesazh për shënimin e 70-vjetorit të qeverisjes së saj, Mbretëresha tha se ishte “dëshira e saj e sinqertë”, që Camilla ta kishte atë titull.

Kishte sugjerime që Camilla do të njihej me titullin e Princeshës (Princess Consort).

Por njoftimi i Mbretëreshës hap rrugën që ajo të njihet në të ardhmen si Mbretëresha Camilla.

Një zëdhënës i Clarence House tha se Princi i Uellsit dhe Dukesha e Cornwall ishin “të nderuar” me njoftimin.

Mesazhi i Mbretëreshës që shënon ngjitjen e saj në fron në vitin 1952, adreson drejtpërdrejt çështjen e pazgjidhur të titullit të ardhshëm të Dukeshës së Cornwall-it.

“Është dëshira ime e sinqertë që kur të vijë koha, Camilla të njihet si Quen Consort”, shkruan ajo.

“Queen Consort”, i referohet bashkëshortes së një mbreti në pushtet. /Telegrafi/