Site icon Telegrafi

Cameron: Nuk kam të ardhura në kompani offshore

Kryeministri britanik David Cameron deklaron se nuk ka asnjë lloj kapitali apo fonde në kompani offshore.

Deklarata vjen pasi emri i babait të tij figuron në listën e klientëve që përdorin një kompani ligjore në parajsën fiskale të Panamasë. Babai i Cameron raportohet se drejton një rrjet offshore të investimit të fondeve.

“Nuk kam në zotërim kapitale. Kam një rrogë si Kryeministër dhe kam disa kursime, nga të cilat marr interesin dhe kam një shtëpi. Nuk kam kapitale, fonde offshore, asgjë të këtij lloji”, deklaroi kryeminsitri britanik.

Më herët, lideri i partisë laburiste, Jeremy Corbyn bëri thirrje për një hetim të pavarur të taksave për të gjithë britanikët që përmenden në Panama Papers, përfshirë Kryeministrin David Cameron.

Në disa reagime të tjera gjatë ditës, Rusia vijon ta konsiderojë publikimin e këtyre dokumentave si një sulm mbi vendin. Kanë qenë të shumta ata analistë rusë që e konsideruar rrjedhjen e këtyre informacioneve si sulm jo vetëm kundër Putin, por të gjithë vendit.

Në Kili, shefi i organizatës “Transparency International”, Gonzalo Delaveu dha dorëheqjen, pasi emri i tij figuron i lidhur me të paktën 5 kompani offshore.

Ndërsa “Le Monde” raportoi se HSBC, banka zvicerane UBS dhe Credit Suisse rezultojnë të kenë mbi 4500 kompani offshore, falë firmës ligjore në Panama, Mossack Fonseca. HSBC ka krijuar 2300 kompani offshore, Credit Suisse kishte 1105 dhe UBS 1100, ndërsa France Societe General kishte 979, gjithnjë sipas të dhënave të dokumentve të rrjedhur.

Janë rreth 365 banka që kanë përdorur shërbimet e Mossack Fonseca, përfshirë Deutsche Bank dhe suedezja Nordea.

Shefi ekzekutiv i Nordea, në një dalje për mediat tha se nuk do të bashkëpunojë më me Mossack Fonseca. Ai u shpreh se banka që ai drejton nuk do të përdoret si platformë për evazion fiskal. /tvklan.al

Exit mobile version