Dy dekada pas daljes së filmit “Titanic” janë ende të shumtë fansat të cilët nuk e kanë gëlltitur dot vdekjen e protagonistit kryesor, Jack, i interpretuar nga aktori Leonardo DiCaprio.
Ndërsa regjisori James Cameron ka treguar arsyen se pse filmi u mbyll tragjikisht, transmeton noa.al.
Ndonëse edhe më parë e kishte shpjeguar se pse protagonisti i filmit nuk mund të ngjitej në dërrasën ku qendronte Rose, kësaj radhe Cameron ka shuar çdo dyshim në një intervistë për Vanity Fair, duke treguar se pse Jack duhej të vdiste.
“Bëhet fjalë për një zgjedhje artistike. Dera ishte e madhe sa për të mbajtur Kate Winslet (Rose), por jo peshën e të dyve”.
“Nëse do të kishte jetuar, filmi nuk do të kishte kaq shumë kuptim. ‘Titanic’ flet për vdekje dhe ndarje. Jack duhej të vdiste”, është shprehur regjisori.
Sipas tij, nuk ka rëndësi nëse do të kishte vdekur prej të ftohtit apo i goditur nga ndonjë objekt, ai duhej të vdiste.
“Quhet art, gjërat ndodhin për arsye artistike, jo për rregulla fizike”, ka theksuar më tej Cameron.
“Titanic” është një prej filmave më të suksesshëm në histori me 11 çmime Oscar dhe mbi dy miliardë dollarë përfitime.