Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, gjatë qëndrimit në Kosovë ka thënë se ajo që ka ndodhur në Banjskë, është mjaftë shqetësuese.
Ai theksoi rëndësinë e asaj që duhet bërë gjithçka për të parandaluar përseritjen e asaj ngjarjeje.
“Çfarë ka ndodhur këtu në shtator është ekstremisht shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që të mundemi që ta parandalojmë atë që të mos përsëritet dhe ta luftojmë nëse ndodh përsëri”, u shpreh ai.
Diplomati britanik shtoi se Kosova është shtet sovran i pavarur që dëshiron stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe se Britania po ndihmon me të gjitha për të krijuar stabilitet.
“Stabiliteti në Ballkan dhe siguria në Ballkan, dhe ndalimi i atyre që dëshirojnë të shkaktojnë destabilitet dhe të krijojnë probleme është në interesin direkt kombëtar të Britanisë dhe prandaj jam këtu, për të falendëruar trupat tona për punën që bëjnë dhe për të punuar me Qeverinë e Kosovës për t’i ndihmua ata me agjendën e tyre duke njohur faktin se ata janë një shtet sovran që meritojnë mbështetjen tonë derisa ata përpiqen për siguri dhe sukses”, ka deklaruar Cameron.
Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.
“Jemi përkrahës të mëdhenj të pavarësisë, sovranitetit dhe të drejtës së Kosovës për t’u njohur nga të tjerët si një vend i plotë, sovran dhe anëtar i familjes së kombeve”.
“Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, për t’ju promovuar, për t’ju ndihmuar në të gjitha mënyrat që mundemi”, ka deklaruar ai. /Telegrafi/