Shefi i Cambridge Analytica, kompani që merret me përpunimin e të dhënave, Alexander Nix, tha se kjo ka luajtur një rol vendimtar në fitoren e Donald Trump në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.
Komentet e tij shtojnë problemet për gjigantin e medies sociale Facebook, ndërkohë që përballet me mbikëqyrje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë, pasi i ka ofruar kësaj firme qasje në të dhënat personale të 50 milionë përdoruesve, për të shënjestruar votuesit.
Vlera në treg e Facebook ka rënë ndjeshëm në dy sesionet e kaluara tregtare, ndërkohë që investitorët u shqetësuan se kjo përfshirje do të dëmtojë reputacionin, largojë reklamuesit dhe shtuar rregulloret. Facebook ka humbur mbi 60 miliardë dollarë në vlerë tregu në vetëm dy ditë.
Në programin e firmës britanike përfshiheshin praktika që influenconin zgjedhjet jashtë vendit dhe sipas kreut të kësaj firme, janë bërë kërkime, analiza dhe shënjestrime të votuesve për fushatat televizive dhe dixhitale të Trump.
Cambridge Analytica ka mohuar të gjitha akuzat dhe shton se i ka fshirë të gjithë të dhënat pasi u bind se informacioni nuk përputhet me rregullat e mbrojtjes së të dhënave, shkruan Telegrafi.
Ligjvënësit amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar shpjegim se si firma britanike ka fituar qasje në të dhënat e përdoruesve dhe pse Facebook nuk njoftoi përdoruesit, duke ngritur kështu dyshime mbi privatësinë e konsumatorit.
Facebook u lajmërua nga Komisioni Federal mbi Tregtinë, që është rregullatori kryesor i konsumatorit amerikan, se do t’i përgjigjet pyetjeve mbi të dhënat e blera nga Cambridge Analytica dhe zbulohet se Facebook ka thyer rregullat e privatësisë, ka fuqinë për t’i vendosur gjobë në miliarda dollarë. /Telegrafi/