Telegrafi

Calderon: Ronaldo i pakënaqur? Mund të largohet!

Florentino Perez e mori në dorë presidencën e klubit mbretëror në vitin 2009 nga Calderon, duke transferuar yje si Kaka, Ronaldo dhe shumë të tjerë. Tani është Calderon, ai që është shfaqur në skenë në vazhdën e fushatës për zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, me ç’rast ka deklaruar se Ronaldo duhet të largohet nga Bernabeu.

“Nëse një lojtar është i pakënaqur, atëherë ai mund të largohet. Më ndodhi me Robinhon. Ishte një sagë dramatike, por ai ishte blerë për 28 milionë euro dhe është shitur për 48 milionë euro, kështu që ishte marrëveshje e mirë”.

“Jorge Mendes (agjenti i Ronaldos) tani është president i klubit, pa qenë fare i zgjedhur nga bordi, i cili e ka lënë klubin totalisht në duart e tij dhe të Mourinhos. Ai ka marrë vendimet kryesore, disa lojtarë kanë ardhur në klub vetëm për shkak se e kanë pasur atë agjent”, ka thënë në mënyrë sarkastike Calderon për Eurosport.