Telegrafi

Calciopoli – zhvillime sensacionale

Telefonata shokuese e zbuluar nga Luciano Moggi, e sheh kreun e federatës italiane duke i thënë dizejnatorit Paolo Bergamo të dërgojë një gjyqtar për të mos i ndihmuar Juventusit. Këto zbulime janë sensacionale pasi që kemi të bëjmë me autoritetet që shfrytëzojnë fuqinë e tyre për të manipuluar në të mirë të interesave të tyre.

Ky transkript u zbulua në televizionin 7Gold, që pati si mysafir pikërisht Luciano Moggin dhe një ekspert të futbollit italian.

“Është skandal. Këtu kemi të bëjmë me kreun e futbollit italian. Duke u bazuar vetëm në këtë telefonatë, i tërë procesi i Calciopolit, nga viti 2006 duhet të hidhet poshtë”, tha mysafiri në këtë televizion.

Moggi nga ana tjetër akuzoi autoritetet e Juventusit për mos mbrojtje të interesave të klubit, pasi që sipas Moggit, Juventusi ka mundur të dalë e pastër nga Calciopoli po të bëhej sa është dashur rreth kësaj çështjeje.

Nga ana tjetër në një telefonatë të publikuar nga gazeta L’Espresso, shihet sekretari i Milanit, Leonardo Meani, duke biseduar me Pierluigi Collinan, pasi ky i fundit u zgjedh për të referuar në takimin Siena – Milan. Meani në këtë telefonatë i tha Collinas se Galliani dëshiron të flas me të.

Fiorentina nga ana tjetër ka deklaruar me anë të presidentit se do të ndërmarrë veprime ligjore për dy sezonet e humbura për moskualifikim në Ligën e Kampionëve pas dënimit me pikë, të cilat erdhën si pasojë e Calciopolit.

Sipas vlerësimeve të para, nëse eventualisht rihapet gjyqi i Calciopolit i vitit 2006, atëherë Interi do të mund të dënohej me dërgim në Serie B për herë të parë në histori, kurse nga ana tjetër Juventusi do të kompensohej me 200 milionë euro. /Telegrafi/