Site icon Telegrafi

Caku i radhës: Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’!

“Sigurisht që do t’i motivojë të gjithë sportistët e rinj. Unë e ceka edhe në Prishtinë që unë nuk jam diçka e jashtëzakonshme, unë jam thjesht një vajzë nga Peja që kam punuar shumë, kam ditur çka dua në jetë dhe nuk ka rëndësi ku ia nis, është me rëndësi ku dëshiron të shkosh. Kështu që, krejt të rinjtë që kanë motiv dhe kanë vullnet, mund të arrijnë çfarëdo që ata dëshirojnë në jetë e sidomos në sport, pasi sporti në Kosovë tash po dihet se po përkrahet, ka suksese kulminante dhe sigurisht se përkrahja nuk do të mungojë asnjëherë”, ka deklaruar Majlinda, transmeton Telegrafi.

Ajo ka thënë se ka pritur që do të fitojë medalje, por jo të artën, ndërsa si përballje më të vështirë e ka vlerësuar gjysmëfinalen. Kampionia e botës e ka cilësuar humbjen në Lojërat Olimpike në Londër si një moment që i ka ndihmuar të bëhej më e fortë, më e qetë dhe të mendojë vetëm në aspektin sportiv.

Caku i ardhshëm i xhudistes kosovare janë Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’. “Atëherë do të jem diku 25-26 vjeçe. Përvoja do të jetë ende më e madhe, gjë që ka shumë rëndësi në xhudo. Po vërehet ndryshimi im nga viti i kaluar sivjet, kështu që në Rio do të jem akoma më mirë. Shpresoj të mos gaboj, të kem fat, disponim atje dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë”.

Xhudistja tjetër kosovare e cila mori pjesë në kampionatin botëror në Brazil, Nora Gjakova, deklaroi se paraqitjet e tyre shfaqin anën pozitive të shtetit të Kosovës. “Çdo prezantim tonin e shohin dhjetëra shtete të ndryshme. Në çdo garë ku marrim pjesë janë prezentë 50 apo më shumë shtete. Secili shtet shkruan për çdo lloj rezultat tonin, prandaj kjo është shumë e rëndësishme, është e rëndësishme për shtetin tonë, sepse kjo e prezanton anën tonë pozitive”.

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka, është shprehur mjaft i lumtur me suksesin e arritur në Kampionati Botëror dhe ka paralajmëruar suksese të mëtutjeshme të xhudistëve nga Kosova.

“Unë po mendoj se është bërë një punë e madhe. Është e vërtetë se shqiptarët, sidomos ky nënqielli i qytetit të Pejës prodhon talentë edhe prodhon, nëse mund të shprehem lirisht, fëmijë të mirë, të cilët janë të predispozuar për rezultatet kulminante. Por, megjithatë, puna është ajo që e luan rolin kryesor, sepse realisht, Majlinda është sportistja e vetme e ndërtuar në shtetin e Kosovës, apo të themi në qytetin e Pejës, e cila ka arritur t’i prekë majat botërore. Në këto dy-tri ditë keni mundur ta vëreni se të gjitha mediat botërore e kanë quajtur si çudi të arriturën e Majlindës. Unë po mendoj se më i lumturi në këtë mes jam unë. Edhe pse Majlinda është protagonistja kryesore, Nora na ka kënaqur me luftërat e saja, të cilës me një vendim, mund të them, jo fort korrekt të referit në luftën me japonezen, e kanë pamundësuar që Peja të ketë dy medalje nga Kampionati Botëror. Por, megjithatë, nuk do të ndalemi, këto të dyja janë thuajse në fillimet e viteve të tyre të njëzeta dhe kanë ende shumë për të thënë”, ka deklaruar Kuka. /Telegrafi/

Exit mobile version