Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha sot se asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë raste të mbylljes së mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve para kohe, si rrjedhojë e përplasjeve politike.
Cakolli në një postim në Facebook shkruan se degradimi dhe shndërrimi i mbledhjeve të KQZ-së në hapësirë për shfryrjen e inateve politike, përmes devijimit nga agjenda është për të ardhur keq.
Lexoni të plotë postimin e Cakollit:
“Asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë raste të mbylljes së mbledhjeve të KQZ-së para kohe, si rezultat i përplasjeve politike. Degradimi dhe shndërrimi i mbledhjeve të KQZ-së në hapësirë për shfryrjen e inateve politike, përmes devijimit nga agjenda, është për të ardhur keq.
Ndonëse Kosova prej vitesh është përgëzuar për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve, për çka një pjesë e madhe e meritave i shkojnë KQZ-së, politizimi i pothuajse secilit diskutim apo pikë të rendit po cenon profesionalizmin e këtij institucioni por edhe besimin e publikut në të”. /Telegrafi/