Ditë më parë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të anulojë zgjedhjet për kryetar të komunës në Hanin e Elezit.
PZAP-ja e ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të kësaj komune, Rufki Suma kundër kandidatit të PDK-së Mehmet Ballazhi.
Në arsyetimin e Panelit Zgjedhor thuhet se rivotimi duhet të ndodhë për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjeve të votuesve.
Por Supremja sot ka anuluar vendimin PZAP-së, duke e kthyer çështjen në rivendosje.
Lidhur me këtë, Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka thënë për Telegrafin se kjo nuk është hera e parë që Gjykata Supreme anulon vendimin e PZAP-së.
Sipas tij, përvoja nga e kaluara flet për raste të tilla të një ping pong-u institucional ku PZAP dhe Supremja i kanë shkëmbyer mendimet e tyre juridike lidhur me çështjet e caktuara.
“Sidoqoftë, duke u bazuar në hierarkinë e institucioneve gjyqësore, Supremja, është instanca më e lartë dhe përfundimtare për nxjerrjen e në raport me procesin zgjedhor. Kjo nënkupton në rastin e komunës së Hanit të Elezit, e ka kthyer çështjen në rivendosje. Pra kjo nuk nënkupton që njëra palë ka të drejtë, dhe as ajo se procesi është certifikuar si i tillë, dhe po ashtu nuk është e sigurtë nëse do të ketë rivotim apo jo. Gjykata Supreme ka përcaktuar kondiat e vendimit që duhet të merret nga ana e PZAP-së, posaçërisht në raport me arsyetimin dhe dhënien e provave për shkeljet që janë pretenduar nga Rufki Suma, që janë konfirmuar nga PZAP”, u shpreh ai për Telegrafin.
Tutje Cakolli thotë se vendimi i ri i PZAP-së i cili do të merret më së largu për 72 orë, do të duhej të përmbajë arsyetimin për shkaqet që kanë çuar në rivotim.
“Në mungesë të provave specifike që e ndërlidhin manipulimin e procesit zgjedhor me kandidatin e PDK-së”, Cakolli shton se atëherë do duhej që të merrej vendim për refuzimin e kërkesës së Rufki Sumës.
Në rast se PZAP-ja nuk e mbyll çështjen, sipas tij palët sërish kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën Supreme, e që kjo e fundit brenda jo më larg se një javë jep vendimin përfundimtar.
“Palët kanë të drejtën e ankesës edhe njëherë në Gjykatën Supreme, që i bie se eventualisht do të ketë hapësirë shtatë ditë për të marrë një vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje përveç situatës kur pas vendimit të ri të PZAP-së, nuk do të ketë ankesa nga asnjëra palë”, deklaroi Cakolli.
Ndryshe, kandidati i PDK-së, Mehmet Ballazhi sipas rezultateve të KQZ-së, për zgjedhjet e 17 tetorit ka marrë me 50.98%, ndërkq Rufki Suma 42,47% të votave. /Telegrafi/