Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka të drejtë t’i shpallë rezultatet përfundimtare në komuna, pasi sipas tij ende nuk është ezauruar afati ligjor për ankesë në Gjykatën Supreme.
“KQZ-ja nuk duhet dhe nuk ka të drejtë t’i shpallë rezultatet përfundimtare në komuna ku ende nuk është ezauruar afati ligjor për ankesë në Gjykatën Supreme – që sipas vendimit të PZAP-së është 24 orë. Kjo, pa paragjykuar se a do të ketë ankesë apo cili mund të jetë epilogu i saj”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka thënë se në rastin e Hanit të Elezit, shpallja e rezultateve pa i përmbyll afati për ankimim cenon parimin e sigurisë juridike të kandidatëve.
“Kësisoj, vendimi për shpalljen e rezultateve për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, pa u përmbyllur afati 24-orësh për ankimim, përveç se precedent i gabuar, e cenon parimin e sigurisë juridike të kandidatëve”, ka shkruar Cakolli. /Telegrafi/