Eugen Cakolli, menaxher i Programeve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka analizuar skenarët e shpërndarjes së mandateve në Kuvendin e Kosovës pas përfundimit të numërimit të votave të rregullta.
Sipas tij, për momentin, ndarja e mandateve për partitë shqiptare është si më poshtë:
LVV – 47 deputetë
PDK – 25 deputetë
LDK – 20 deputetë
AAK – 8 deputetë
Cakolli thekson se megjithëse mbeten për t’u numëruar rreth 100-120 mijë vota, përfshirë ato të diasporës dhe votat me kusht, ndikimi i tyre në rezultatin përfundimtar do të jetë i kufizuar deri në 4 mandate.
“Votat me kusht zakonisht ndjekin të njëjtin trend si ato të rregullta, ndërsa në votat jashtë vendit LVV tradicionalisht performon më mirë. Nëse LVV fiton rreth 60% të këtyre votave, mund të marrë deri në dy mandate shtesë, duke arritur në 49 deputetë. Në një skenar edhe më pozitiv, ku merr mbi 75% të votave jashtë vendit, LVV mund të arrijë deri në 51 deputetë. Nga ana tjetër, nëse përqindja e saj bie nën 50%, numri i mandateve mund të ulet në 46”, ka shkruar Cakolli.
Cakolli gjithashtu sqaroi se votat e partive që nuk e kalojnë pragun nuk shpërndahen dhe nuk i shtohen ndonjë partie tjetër, por thjesht nuk llogariten në ndarjen përfundimtare të mandateve./Telegrafi/