Site icon Telegrafi

Cakaj: Vendoset themelimi i nismës trepalëshe Shqipëri-Kosovë-Kroaci

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një reagim në Facebook, bëri me dije se së bashku me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca dhe me ministrin e Jashtëm të Kroacisë, Goran Grlic-Radman, kanë vendosur themelimin e nismës trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës.

Synimi i kësaj nisme është mbajtja e mbledhjeve të rregullta në nivel të ministrave të Jashtëm, për të krijuar platforma të përbashkëta politike dhe për të zhvilluar projekte konkrete me interes të përbashkët.

Shefi i diplomacisë shqiptare informoi se takimi i parë do të mbahet në Shqipëri brenda këtij viti dhe pastaj takimet e tjera do të mbahen çdo vit në vendet pjesëmarrëse, sipas rendit.

“Takimi i parë do të mbahet në Shqipëri brenda këtij viti dhe pastaj takimet e tjera do të mbahen çdo vit nëpër qytete të ndryshme të vendeve tona. Kjo nismë do t’i shërbejë thellimit të marrëdhënieve mes vendeve tona, por edhe zbatimit të objektivave të përbashkëta strategjike veçanërisht në fushën e politikës së jashtme”, shkroi Cakaj. /Telegrafi/

Exit mobile version