Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, zhvilloi sot një bisedë telefonike me sekretarin e Përgjithshëm të BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes me partnerin e tyre të koalicionit, LSDM-në.
“Kam shprehur urimet më të sinqerta për marrëveshjen historike që do të mundësojë për herë të parë një kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe vetëm 100 ditë si fillim,” u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook.
Ai theksoi se përveç faktit se kryetari i Kuvendit do të vazhdojë të jetë një shqiptar, mbetet arritje historike që diplomacia e Maqedonisë së Veriut do të udhëhiqet nga një shqiptar.
Sipas Cakaj, marrëveshja e sotme hap një horizont të pashembullt për forcimin e shqiptarëve e zhvillimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut.
“Urime të gjithë shqiptarëve e falënderim të veçantë Ali Ahmeti e Artan Grubi për punën e vyer që kanë bërë në drejtim të forcimit të faktorit shqiptar, demokracisë e zhvillimit të brendshëm dhe proceseve euroatlantike në Maqedoninë e Veriut”, tha ai.
Kreu i diplomacisë shqiptare siguroi se me Maqedoninë e Veriut do të vijojë bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh dhe puna e përbashkët në kuadër të NATO-s dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian./Telegrafi/