Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifin.
Përmes një postimi në Facebook, Cakaj shprehu mbështetjen e tij të plotë për koalicionin e shumicës shqiptare në Bujanoc.
Cakaj poshtu ka shprehur shqetësimin për fshirjen e adresave të shqiptarëve në të gjithë Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë.
Postimi i plotë i Cakajt
Kënaqësi e veçantë, sot, takimi edhe me Kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Nagip Arifi.
Takimet tona nuk janë asnjëherë të tepërta sepse numri i çështjeve që kërkojnë angazhim të përbashkët është i jashtëzakonshëm.
Falënderues për punën e vyer deri më tani dhe mbështetje e plotë për koalicionin e shumicës shqiptare në Bujanoc! Pas koalicionit të Luginës së Bashkuar, puna e këtij koalicioni është e një rëndësie të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Ndamë, po ashtu, të njëjtin shqetësim lidhur me fshirjen e adresave të shqiptarëve në të gjithë Luginën e Preshevës, veçanërisht në Medvegjë.
Pavarësisht sfidave, ne do të punojmë bashkërisht e pakursyer për ngritjen e faktorit shqiptar në Luginën e Preshevës.