Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka hedhuar akuza ndaj politikanëve të Kosovës për deklarata të ndryshme në lidhje me taksën ndaj produkteve serbe.
Cakaj, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Tirana zyrtare nuk ka qenë asnjëherë kundër taksës që Kosova ka vendosur ndaj produkteve të Serbisë.
Ai thotë se personalisht ka mbështetur publikisht taksën edhe në forume ndërkombëtare.
“Në Berlin kam qenë bashkë me zëvendësministrin e asaj kohe në Kosovë, Lirak Çelajn dhe zëvendësministrat tjerë të rajonit por që ka pasur edhe zyrtarë të Komisionit Evropian dhe aty kam mbështetur taksën 100%. Kjo ishte bërë disa ditë pas vendosjes së taksës”.
Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë thotë se edhe në Mbledhjen e Pejës, kryeministri Rama e ka mbështetur taksën 100% ndaj Serbisë.
Ai thotë se qëndrimi zyrtar i Shqipërisë ka qenë gjithmonë në mbështetje të taksës, por pala kosovare kishte katër qëndrime për taksën.
“Ka qenë qëndrimi që taksa është masë populliste dhe nuk i shërben ekonomisë, qëndrimi se taksa duhet të mbetet në fuqi deri në njohje, qëndrimi se taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet dhe qëndrimi i partnerëve të zotit Haradinaj se taksa duhet të pezullohet për t’i dhënë mundësi dialogut”, tha ndër të tjera Gent Cakaj. /Telegrafi/