Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka njoftuar se Shqipëria nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnja e Hercegovina.
Në një postim në rrjetin social Twitter, ministri në detyrë shkruan se trajtimi nga organizatorët në drejtim të Kosovës është i papranueshëm.
Cakaj thotë se trajtimi ndaj Kosovës shkon kundër synimit për të krijuar një atmosferë besimi, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe stabilitet.
Ministri në Detyrë Cakaj shkruan se nuk mund të ketë bashkëpunim pa trajtim të barabartë.
“Shqipëria e anulon paraqitjen në Samitin e SEECP në shenjë solidariteti me Kosvën. Tretmani nga organizatorët është i papranueshëm dhe është në kundërshtim të krijimit të një atmosfere besimi, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit. Nuk ka bashkëpunim pa tretman të barabartë. #TëBashkuarQëndrojmë.”, ka thënë Cakaj në postimin e tij.
🇦🇱 cancels its participation at SEECP Summit in solidarity with 🇽🇰 Its treatment by the organisers is unacceptable & goes against the aim of creating an atmosphere of trust, good neighbourly relations & stability. There is no cooperation without equal treatment #westandtogether
— Gent Cakaj (@CakajGent) July 7, 2019
Një ditë më parë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bën të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim.
Si pasojë e kësaj Thaçi ka refuzuar që të marrë pjesë në takim.
“Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/