Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë qëndrimit në Washington ka zhvilluar takime edhe me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike, Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebok.
Cakaj ka thënë se takimet u përqendruan në diskutime që lidhen me domosdoshmërinë e plotësimit sa më të shpejtë të të gjitha detyrimeve për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, punën e përbashkët në kuadër të OSBE-së dhe me përpjekjet e Shqipërisë për të siguruar ulësen e anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023.
“Marrëdhëniet e fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të një rëndësie të pazëvendësueshme e me një vlerë të patjetërsueshme për Shqipërinë”, u shpreh Cakaj./Telegrafi/