Site icon Telegrafi

Cakaj në Sarajevë: Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Bosnja tejet i rëndësishëm për prosperitetin në Ballkan

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj gjatë vizitës që ka pasur të martën në Sarajevë gjatë takimit me nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe ministren e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, kanë theksuar se njohja e Republikës së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina do të ishte një vendim jo vetëm historikisht i drejtë, por edhe skajshmërisht i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë e forcimin e prosperitetit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.

Kështu shkruan Cakaj në Facebook, ku shton se kanë ndarë pikëpamjen e njëjtë lidhur me bashkëpunimin e mirë në një varg organizatash ndërkombëtare.

“Theksuam se njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina do të ishte një vendim jo vetëm historikisht i drejtë, por edhe skajshmërisht i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë e forcimin e prosperitetit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Në fund, ndamë pikëpamjen e njëjtë lidhur me bashkëpunimin e mirë në një varg organizatash ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në dhe UNESCO-n. Gjithashtu, vlen të përmendet mbështetja e Bosnje dhe Hercegovinës për synimin e Shqipërisë për të marrë një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit 2022-2023”, shkruan Cakaj.

Ai tha se kanë biseduar edhe për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në disa fusha.

“Biseduam për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe nxitjes së turizmit. Vlerësuam bashkërisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e ndërlidhjes, transportit, digjitalizimit dhe domosdoshmërinë e përpjekjeve të shtuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shkruan Cakaj. /Telegrafi/

Exit mobile version