Site icon Telegrafi

Cakaj: Mbështetje financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka njoftuar se Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka marrë vendim për dhënien e mbështetjes financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi me seli qendrore në Ulqin dhe dy zyrat e tij koordinuese, në Malësi/Tuz dhe Plavë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Ministri në Detyrë shkruan se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve luan një rol thelbësor në përfaqësimin e përgjithshëm dhe fuqizimin e rolit të veçantë të shqiptarëve në Mal të Zi, duke adresuar një gamë të gjerë çështjesh të cilat fillojnë nga arsimi, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike, sfidat socio-ekonomike e deri tek ruajtja e trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Mal të Zi.

“Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për mbështetje financiare të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi nuk është një veprim i izoluar dhe individual. Ky veprim shënon vetëm fillimin e programit të Qeverisë për të marrë përsipër financimin periodik dhe mbështetjen sistematike të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi!” shkruan Cakaj.

Postimi i plotë i Cakaj:

Edhe një lajm tjetër i shkëlqyer për shqiptarët në Mal të Zi.
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka marrë vendim për dhënien e mbështetjes financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi me seli qendrore në Ulqin dhe dy zyrat e tij koordinuese – Malësi/Tuz dhe Plavë.
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve luan një rol substancial në përfaqësimin e përgjithshëm dhe fuqizimin e rolit të veçantë të shqiptarëve në Mal të Zi. Ai adreson një gamë të gjerë çështjesh duke filluar nga arsimi, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike, sfidat socio-ekonomike e deri tek ruajtja e trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Mal të Zi.
Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për mbështetje financiare të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi nuk është një veprim i izoluar dhe individual. Ky veprim shënon vetëm fillimin e programit të Qeverisë për të marrë përsipër financimin periodik dhe mbështetjen sistematike të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi!

Exit mobile version