Telegrafi

Cakaj: Marrëveshja Kosovë-Serbi, hap i jashtëzakonshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes së ndërsjellë

Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj ka thënë se marrëveshja ekonomike që u nënshkrua sot në Shtëpinë e Bardhë nga Kosova e Serbia, është një hap i jashtëzakonshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes së ndërsjellë.

Përmes një postimi në Facebook, Cakaj ka thënë se Kosova gjithmonë ka dalur fitues nga ndërhyrja dhe mbështetja e SHBA-ve.

Lexo po ashtu Këto janë pikat e marrëveshjes të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë

“Kosova gjithmonë vetëm ka fituar nga ndërhyrja dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë është një hap i jashtëzakonshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes së ndërsjellë. Kjo marrëveshje do të krijojë jo vetëm parakushtet për një zhvillim të hovshëm ekonomik të Republikës së Kosovës, por edhe do të mundësojë zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, si një prej pjesëve më të dhimbshme nga lufta e fundit në Kosovë”, shkruan Cakaj.

Ai po ashtu u shpreh se “Njohja e pavarësisë së Republikës të Kosovës nga Izraeli, ndërkaq, është shenjë e rikthimit të fuqishëm të kauzës së drejtë të saj në arenën ndërkombëtare”.

“Zoti i bekoftë shqiptarët, Kosovën e Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan ai. /Telegrafi/