Telegrafi

Cakaj bisedë me Danielsson: Integrimi, COVID-19, BE mbështet Shqipërinë

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë ditës së sotme zhvilloi një bashkëbisedim online me Drejtorin e Përgjithshëm për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit në Komisionin Evropian, Christian Danielsson.

Në një reagim në Facebook, Cakaj bëri me dije se në këtë komunikim bashkëfolësit nënvizuan veçanërisht faktin, se pas çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian, duhet shtuar angazhimi për plotësimin e të gjitha detyrimeve të nevojshme në rrugën e anëtarësimit.

“Po ashtu, biseduam edhe rreth bashkëpunimit mes Shqipërisë e BE-së në luftën e përbashkët kundër COVID-19 dhe procesin e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019.”- shtoi Cakaj.

Në përfundim të postimit të tij, Cakaj siguroi se komunikimi me BE-në në këto rrethana është i vazhdueshëm dhe përparimi drejt BE-së është i sigurt, sikurse fitorja e përbashkët mbi pandeminë, transmeton Telegrafi/