Telegrafi

Cakaj: 30 qershori është i pranuar nga KiE, SHBA dhe BE, janë certifikuar mijëra subjekte vëzhguese

 Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj thotë se Këshilli i Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë pranuar tashmë datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

Gjatë një konference për mediat Ministri në Detyrë Cakaj tha se subjektet ndërkombëtare janë shprehur mbi ligjshmërinë e datës 30 qershor duke mos e vënë asnjëherë në dyshim.

“Vetë organi këshillues i KiE i përfolur ka përgënjeshtruar disa tentativa politike me një deklaratë ku thotë qartë se vendimi nuk ka të bëjë me ligjshmërinë apo datën e zgjedhjeve”, u shpreh Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Cakaj.

Ministri në Detyrë Cakaj shtoi se 30 qershori ka mbështetje të hapur ndërkombëtare dhe zgjedhjet zhvillohen me vëzhgim të gjerë e rigoroz.

“Këshilli i Evropës ka shprehur sot qëndrimin institucional ku thuhet se zgjedhjet duhet të mbahen më 30 qershor në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe legjislacionin e brendshëm,” u shpreh Cakaj.

Në Shqipëri janë certifikuar me mijëra subjekte vëzhguese, tha Ministri në Detyrë Gent Cakaj./Telegrafi/