Telegrafi

Cahani dhe ambasadori çek flasin për investimet e kompanisë Gjirafa

Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bílek, ka takuar thënëluesin e kompanisë Gjirafa, Mërgim Cahani dhe partnerin investues të Rockaway Capital, Dušan Zábrodský.

Cahani dhe Zábrodský e kanë informuar ambasadorin për qëllimet e investimit të kompanisë Gjirafa.

“Zyrtarët e Rockaway Capital dhe ata të Gjirafa-së e informuan Udhëheqësin e Misionit Diplomatik, për qëllimet e investimit që do të mundësoj, jo vetëm në dyfishimin e ekipit të suksesshëm, por në veçanti të zgjeroj rrethin e prodhimeve të tashme dhe të prezantoj shërbimet tjera elektronike, që ende nuk janë në dispozicion në rajon”, thuhet në njoftimin e ambasadës, përcjell Telegrafi.

Kujtojmë se Rockaway Capital ka filluar me investimin e parë në Gjirafa në muajin shkurt të vitit 2016 me qëllim që të përkrahë kompaninë në planin e saj për tu bërë pionier i ekonomisë së internetit në rajonin e Ballkanit, veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë. Në tri vitet e fundit, Gjirafa jo vetëm që ka arritur këtë objektiv, mirëpo i ka tejkaluar shumë nga to, ku produktet e Gjirafës tashmë janë lider në shitjen online, video-përmbajtje dhe marketing dixhital.

Lexo po ashtu Gjirafa merr investim prej 6.7 milionë dollarë të Serie B nga Rockaway Capital dhe investitorë amerikanë për dixhitalizimin e Ballkanit

Gjirafa deri më tani ka pranuar 8.7 milionë dollarë nga katër investime. Investimi i fundit prej 6.7 milionë dollarë i Serisë B ishte nga Rockaway Capital dhe disa investitorë amerikanë.

Lexo po ashtu Gjirafa njëra ndër kompanitë më të suksesshme të teknologjisë në Evropë (Infografikë)

Motori shqiptar i kërkimit Gjirafa, është kompani e avancuar e teknologjisë, produkt kryesor i së cilës është makina kërkimore Gjirafa.com. Kompania ka platformën e reklamimit në internet e njohur si Gjirafa AdNetwork, shërbimi i shitjes online Gjirafa50.com dhe GjirafaMall.com, video platforma me përmbajtje ekskluzive GjirafaVideo dhe platforma e pikave të interesit dhe bizneseve nën emrin Gjirafa.biz. /Telegrafi/