Site icon Telegrafi

CACTTUS për çështjen e performancës së uebfaqes së KQZ-së në ditën e zgjedhjeve: Kishte sulme kibernetike

Kompania e teknologjisë CACTTUS sh.a. ka dalë me një deklaratë lidhur me shqetësimet e ngritura për performancën e sistemit të menaxhimit të votave gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë.

Sipas njoftimit, webfaqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kishte probleme me performancën më 9 shkurt 2025, gjatë kulmit të trafikut, duke shkaktuar vonesa në paraqitjen e rezultateve zgjedhore.

Megjithatë, CACTTUS thekson se aplikacioni softuerik për regjistrimin e të dhënave të votimit ka funksionuar siç ishte projektuar deri në përfundimin e votimeve në orën 19:00.

Ndërprerja, sipas CACTTUS-it, ka qenë pasojë e një konfigurimi jo adekuat të shërbimit Cloudflare, i cili është në përgjegjësi të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe KQZ-së.

Problemi u identifikua dhe u adresua pas mesnatës, duke mundësuar shpërndarjen e rezultateve në kohë reale më 10 shkurt në orën 05:00.

Gjithashtu, kompania bëri të ditur se webfaqja e KQZ-së ishte objekt i sulmeve të vazhdueshme kibernetike, përfshirë sulme të tipit DDoS, të cilat synuan ta mbingarkonin sistemin.

Megjithatë, CACTTUS siguroi se aplikacioni i votimit mbeti i sigurt dhe funksional gjatë gjithë procesit.

Kompania thotë është e angazhuar në një analizë paszgjedhore me KQZ-në dhe OSBE-në për të optimizuar më tej infrastrukturën dhe për të garantuar një proces zgjedhor edhe më efikas në të ardhmen./Telegrafi/

Exit mobile version