Site icon Telegrafi

Cabadak i pakënaqur me lojë!

Sigal Prishtina pas dy xhirove të para vazhdon ta mbajë kryesimin në tabelë. Bardhekaltërit fituan pa shumë vështirësi ndaj Bashkimit në Prizren.

Megjithatë, trajneri i prishtinasve, Ceyhun Cabadak, në intervistën e tij pas ndeshjes për Borozani.com, nuk u shprehu edhe aq i kënaqur me lojën e ekipit të tij.

“Nuk ia nisim ndeshjes ashtu siç duhej, por më vonë, sidomos në fillim të pjesës së dytë, ishim pak më dominues në lojë. Megjithatë, në përgjithësi, nuk e treguam lojën tonë të vërtetë.”

“Zakonisht pas fitoreve me rezultate të thella fillon një rënie në ekip, mirëpo ne nuk duhet ta lejojmë këtë,” tha trajneri turk.

Përveç tjerash, Cabadak e lavdoi edhe ekipin e Bashkimit, për të cilin beson se pas disa javësh do të bëhet më i fortë.

“Bashkimi ka një skuadër të mirë. Pak vonë e kompletuan ekipin, por besoj se pas disa javësh do të bëhen një skuadër shumë e fortë.”

Në fund, në pyetjen për ndeshjen e ardhshme që do të luhet në fundjavë kundër rivalit kryesor, Pejës, Cabadak tha se do të dalin në fushë për të fituar.

“Po, ndeshjen e ardhshme do ta luajmë kundër Pejës në shtëpinë tonë dhe sigurisht që do të dalim në fushë për të fituar,” përfundoi ai. /Borozani/Telegrafi/
 

Exit mobile version