Site icon Telegrafi

Cabadak: Dardani dallon prej kosovarëve tjerë të mbivlerësuar

E filloi mjaft mirë aventurën me Sigal Prishtinën gjerë në sfidat që pati në udhëtim gjatë këtij viti. Tri humbje në tri udhëtime rresht bënë që Ceyhun Cabadak të dorëhiqej nga detyra e trajnerit të skuadrës.

Në një intervistë për Arena, trajneri turk ka treguar për arsyet e dorëheqjes së tij, duke treguar edhe për planet që ka për të ardhmen. Ai rrëfen aventurën e tij të shkurtër në kryeqytetin kosovar, duke lëvduar tifozët prishtinas, por edhe duke këshilluar lojtarët vendorë që të ndërrojnë mentalitet. Lavde pati për Dardan Berishën, të cilin e konsideron të kalibrit të basketbollistëve në Euroligë.

Arena: z. Cabadak, si erdhi deri te dorëheqja nga posti i trajneri te Sigal Prishtina??
Cabadak: “Kur kam ardhur në klub jemi takuar dhe klubi më ka thënë se objektivi është të hyjmë në mesin e gjashtë pozitave të para në Ligën Ballkanike. Me kalimin e kohës, duke parë se skuadra kishte ecuri të mirë, kjo ndryshoi. Pas tri humbjeve të fundit në udhëtim, pas së cilave prapë jemi në pozitën e dytë në tabelë, jemi takuar dhe klubi më ka thënë se nuk mendojnë se jam i suksesshëm, kurse unë mendoj ndryshe. Prandaj, kam dhënë dorëheqje. Tani do të kthehem në vendlindje për të pushuar. Nuk do të kërkojë angazhim të ri sepse është faza e nxehtë e sezonit në të gjitha ligat andaj do të pres përfundimin e kampionatit për të shikuar opsionet”.

Arena: Çfarë vlerësimi mund të jepni për basketbollistët kosovarë?
Cabadak: “Për dallim nga basketbollistët e huaj, ata vendorë nuk e kanë mentalitetin e duhur për t’u zhvilluar. Për këtë mendoj se faji qëndron tek rregulla që ua mundëson dy prej tyre të luajnë gjithmonë në pesëshen e parë. Tek kjo çështje, mendoj se do të ishte më mirë për basketbollin e Kosovës të përcjell shembujt e Spanjës dhe Italisë që nuk kanë qenë fuqi por janë zhvilluar shumë së fundmi, duke e aplikuar sistemin (3+2), tre evropianë dhe dy amerikanë. Nëse edhe në Kosovë do të ishte kështu, atëherë basketbollistët vendorë nuk do të ndiheshin rehat duke e ditur se do të luajnë në pesëshen e parë, por do të angazhoheshin më shumë. Financat nuk paraqesin problem sepse mund të gjeni evropianë të mirë që paguhen më pak se basketbollistët vendorë në Kosovë. Po ashtu, vendorët këtu janë më të paguar se vendorët e shumicës së skuadrave në Ligën Ballkanike. Dhe, prapë nuk punojnë sa duhet”.

Arena: Cilin basketbollist kosovarë mund ta vlerësoni më shumë?
Cabadak: “Në mes të shumë basketbollistëve vendorë që kanë problem me mentalitetin e tyre dhe angazhimin në punë, është një të cilin e veçoj nga aspekti pozitiv, ai është Dardan Berisha. Ai pa problem mund të luajë në cilëndo skuadër në Ligën Ballkanike, por edhe në Euroligë. Është sjell gjithmonë në mënyrë profesionale dhe është angazhuar shumë”. /Arena/Telegrafi/

Exit mobile version