Universitetet e Kosovës kanë nevojë të thellohen në fushën e hulumtimit. Kështu tha ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi në tryezën “Rritja e lidhjeve të industrisë së shkencës në Kosovë – Disa instrumente të ndryshme”, organizim i përbashkët i MAShT dhe projektit HERAS nga Austria.
Me këtë rast, ministri Bytyqi theksoi se tryeza të tilla, siç është transformimi i dijes nga pjesë akademike tek bizneset private janë ndër më të qëlluarat për t’u diskutuar në Kosovë.
Kjo sipas tij, për shkak se universitetet e vendit, përkundër zhvillimeve, ende çalojnë në këtë pjesë.
“Universitetet tona kanë nevojë shumë më shumë të kenë zhvillim drejt fushës së hulumtimit dhe shkencës. Vërtet në vitet e fundit ka pasur ndryshime dhe zhvillime qoftë në universitetet publike, qoftë në kolegjet private, por ka nevojë akoma më shumë që të thellohet pjesa e hulumtimit tek universitetet tona dhe një bashkëpunim shumë më i madh në sektorin publik”, tha ai.
Bytyqi tha se MASHT luan një rol shumë të rëndësishëm dhe është i gatshëm të bashkëpunojë në çfarë do pjese, që institucionet arsimore në Kosovë të kenë mundësinë të sigurojnë vet të ardhurat e tyre duke u shndërruar në sipërmarrës.
Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pflander tha se ky projekt është ndër projektet më të mëdha në fushën e arsimit në Kosovë.
Ai ka ftuar të gjitha institucionet relevante që të angazhohen për të mbajtur arsimin e lartë sa më afër tregut të punës.
E menaxheri i projektit, Helmut Gassler shpalosi para të pranishmëve çështjet më të rëndësishme që duhen të arrihen.
Ai tha se nevojitet durim për tu arritur sukses të tillë, i cili do të mundësonte prodhimin e njohurive të reja.
Ndryshe, gjatë kësaj tryeze u tha se Kosova po përballet me barrierat dhe pengesat që janë të dëmshme për evoluimin e një ndërveprimi të dendur midis akademisë dhe sektorit privat të biznesit.