Nxitja e bashkëpunimit midis komuniteteve afariste të të dyja vendeve me qëllim të intensifikimit të shkëmbimit tregtar dhe krijimit të partneriteteve të biznesit me të cilat firmat e Maqedonisë së Veriut do të hynin në zinxhirët për furnizime të kompanive multinacionale dhe do ta rrisnin konkurrencën dhe vëllimin e vet të prodhimit, ishte njëra ndër temat për të cilat sot kanë biseduar zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe ambasadori çek Mirosllav Tomani.
Në takim, siç bëri të ditur Kabineti i Bytyqit, ishte vlerësuar se ekziston potencial i madh, por edhe fushë e madhe e mundësive për avancim të bashkëpunimit ekonomik, ndërsa bujqësia, infrastruktura hekurudhore dhe gazsjellësi, menaxhimi me ujërat potencialë, mbrojtja e mjedisit të jetesës dhe energjetika u theksuan si sektorë për të cilat më hollësisht do të diskutohej në seancën e ardhshme të komisionit të përzier midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Çekisë.
“Bytyqi dhe Tomani kanë biseduar për vazhdimin e kontinuitetit të bashkëpunimit të suksesshëm ekonomik dhe politik midis të dyja vendeve dhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit midis kompanive të vendit tonë dhe të Çekisë. Z[zëvendëskryeministrit Bytyqi potencoi se mbështetja e Çekisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme për aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe se me përkushtim do të punojë që bashkëpunimi midis të dyja vendeve të avancohet vazhdimisht. Ai theksoi se vendi ynë duhet t’i shfrytëzojë përvojat e vendeve anëtare të BE-së, për zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në Union dhe krijimin e kushteve më të mira për jetën të qytetarëve”, qëndron në kumtesë.
Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ambasadori Toman janë dakorduar se shumë nga aktivitetet të cilat planifikohen në periudhën e ardhshme varen nga zhvillimi i krizës shëndetësore dhe socio-ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi, megjithatë do të bëjnë maksimumin e tyre që bashkëpunimi ekonomik vazhdimisht të shënojë trend pozitiv.