Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, sot në një intervistë për “Utrinski brifing” ka folur për menaxhimin e situatës me pandeminë nga ana e Qeverisë.
Ai tha se nëse situata epidemiologjike përkeqësohet, Qeveria do të veprojë me masa të reja, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Bytyqi foli edhe për masat ekonomike, me çka theksoi se pret që paga mesatare të arrijë në 30.000 denarë në qershor të këtij viti, kur të kenë kaluar 4 vjet nga qeverisja.
“Paga mesatare po rritet vazhdimisht dhe do të vazhdojë të rritet. Në dhjetor të vitit 2020, paga mesatare është 28.294 denarë, që është rritje prej 5 për qind në krahasim me dhjetorin e vitit 2019, ose rritje prej mbi 15 për qind në krahasim me vitin 2017. Paga mesatare po rritet për shkak të rritjes së pagës minimale, e cila u rrit nga 8.000 ose 9.000 denarë në 14.500 dhe paga mesatare do të vazhdojë të rritet, sepse ekonomia e kërkon atë, sepse tregu i punës e imponon atë”.
“Masat për mbështetjen e kompanive janë konceptuar në mënyrë të tillë që të mbështesin kompanitë që paguajnë paga të qëndrueshme për punonjësit, ne nuk u japim asnjë denarë të vetme atyre kompanive që paguajnë pagat minimale të punonjësve. Ne presim që në qershor të vitit 2021, kur në të vërtetë janë 4 vjet nga sundimi i kësaj Qeverie, të arrijmë pagën mesatare prej 30.000 denarë. Në vitin 2017, ishin të nevojshme 4 paga minimale për të kënaqur shportën e konsumatorit, tani duhen 2,2 paga minimale, ndërsa ne përpiqemi që 1,5 paga minimale të jenë të mjaftueshme për shportën e konsumatorit”, tha Bytyqi./Telegrafi/