Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka njoftuar sot se ka vendosur që të gjitha lodrat që janë konsideruar me rrezik për shëndetin e fëmijëve të largohen nga çerdhet publike dhe private.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë para pak ditësh ka marrë rezultate shqetësuese të analizave të lodrave nga tregu aziatik.
Nga 15 mostra që MTI i ka dërguar për analizë, ka rezultuar se 12 prej tyre kanë veti të rrezikshme, madje mund të çojnë deri në sterilitet.
Për këtë arsye, sipas Bytyqit është vendosur që ato lo0dra të largohen në mënyrë që të ruhet shëndeti i fëmijëve.
“Pikërisht, për të biseduar dhe për tu njohur më nga afër me rezultatet, sot prita në takim kolegun tim, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, z. Bajram Hasani. Pas u informova për rezultatet shqetësuese nga ministri Hasani, do të kërkoj nga të gjitha çerdhet publike dhe private që funksionojnë në Kosovë që t’i largojnë të gjitha lodrat e tregut aziatik dhe të mos dëmtojmë edhe më tej shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Për të zgjidhur sa më parë këtë çështje, do të bashkëpunojmë ngushtë edhe me Drejtoritë Komunale të Arsimit në nivel vendi”, ka thënë Bytyqi përmes një postimi në Facebook.