Site icon Telegrafi

Bytyqi-Pyatt: Partneriteti strategjik i SHBA-së me Maqedoninë e Veriut inkurajon bashkëpunimin ekonomik

Nënkryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve në Uashington, ka takuar ndihmës sekretarin shtetëror për resurse energjetike, Geoffrey Pyatt.

“Në takim, zv. kryeministri Bytyqi shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen ekonomike që Maqedonia e Veriut vazhdimisht merr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa e informoi Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për aktivitetet e Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e terminalit të gazit në Aleksandropolis, i cili në afatmesëm do të garantojë diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz.

Bytyqi tha se Maqedonia e Veriut është një nga vendet e rralla në botë, e cila deri një vit më parë ishte 100% e varur nga gazi nga Rusia. Në fund të vitit 2022 u hapet rruga furnizuesve të tjerë duke rritur kapacitetin e interkonektorit me Bullgarinë dhe është projekti për interkonektorin me Greqinë dhe lidhja e gazit me Aleksanropolisin që do ta bëjë vendin të pavarur nga energjia ruse”, njoftojnë nga Qeveria.

Bytyqi shtoi se krahas krizës energjetike që preku vendin tonë, por edhe mbarë botën, Qeveria ka mbetur e përkushtuar për të investuar në zhvillimin e sektorit energjetik dhe sigurimin e një tranzicioni të qëndrueshëm energjetik, i cili do të reduktojë edhe emetimet e gazeve të dëmshme./Telegrafi/

Exit mobile version