Zv. Kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, është i bindur se do të gjendet kompromis me të punësuarit në Drejtorinë për të ardhura publike dhe se nuk do të vijë deri te greva e përgjithshme siç paralajmëroi Sindikata e këtij institucionit. Tashmë është emëruar ndërmjetësues dhe në dispozicion kanë 10 ditë për të gjendur zgjidhje, theksoi Bytyqi dhe shtoi se të enjten pritet që kjo çështje të shqyrtohet edhe në Këshillin ekonomik social.
“Unë jam optimist se mund të gjendet zgjidhje, se masa e grevës së përgjithshme nuk duhet të ndodh. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë, tashmë të enjten është caktuar takim në Këshillin ekonomik social, në të cilin do ta shqyrtojmë marrëveshjen e përgjithshme kolektive me metodologjinë e re, një pjesë e zgjidhjes, mendoj se për të punësuarit në DAP se është pikërisht në këtë zgjidhja, por jemi të hapur, mendoj se ndërmjetësuesi do ta bëjë punën ashtu siç duhet dhe nuk mendoj se do të vijmë në gjendje të grevës së përgjithshme”, tha Fatmir Bytyqi, zv. kryeministër për Çështje Ekonomike.
Nga DAP-i nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre. Kryetari i Sindikatës së DAP-it, Vase Nedanovski thotë se po pret që të marrin rritje të rrogave për të punësuarit në Drejtorinë sipas marrëveshjes kolektive që do ta nënshkruajë sindikata reprezentative dhe në bazë të Ligjit për buxhet.
“Ne do të ishim më të lumtur dhe më të kënaqur që të tejkalohet situata, të realizohet e drejta, të përcaktohen rrogat të të punësuarve në DAP. Të gjithë aktorë që jemi të përfshirë, duhet të dimë se për momentin ka bazë ligjore, në mënyrë shtese edhe sipas marrëveshjes kolektive se sipas ligjit ne duhet ta realizojmë këtë të drejtë. Ne nuk po shohim veten në zgjidhjen e ardhshme të përgjithshme për të gjithë. Po, në zgjidhjen e ardhshme të përgjithshme do të marrim pjesë, por pasi e realizojmë të drejtën që tashmë është përcaktuar me ligj dhe me marrëveshje kolektive”, tha Vase Nedanovski, Sindikata e DAP-it.
Derisa po udhëhiqen negociata për rritjen e rrogave në DAP, këto ditë ministrat do ta marrin rrogën e tretë të rritur për 78%. Tani për tani mbetet e paqartë prej ku u siguruan mjete për rritjen e rrogave të tyre, ndërsa Bytyqi tha se kjo po bëhet me riorientim të mjeteve./TV21/