Telegrafi

Bytyqi: Këtë vit presim rezultate më të mira nga Testi i Maturës

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, në ditën kur po mbahet Testi i Maturës, ka vizituar gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj.

Ai ka qenë nën shoqërinë e të parit të kësaj komune, Agim Aliu, me të cilin së bashku kanë monitoruar disa prej klasave ku po mbahej testi.

Bytyqi ka thënë se për shkak të angazhimit më të madh të dikasterit që ai e drejton, komunave dhe drejtorive komunale të arsimit, këtë vit sipas tij, nxënësit do të shënojnë rezultate më të mira.

Ai ka thënë se është tentuar që të eliminohen shumë defekte që kanë ndodhur më herët gjatë kohës kur po mbahej Testi i Maturës.

“Jemi munduar që t’i minimizojmë defektet, sepse është e pamundur që ato të largohen tërësisht në një kohë të shkurtër”, ka shtuar Bytyqi.

Sipas tij, rezultatet e provimit të maturës pritet të publikohen më 1 qershor.

Ai ka folur edhe për nxënësit, te të cilët vërehen se kanë bërë shkelje gjatë testimit, duke thënë se ndaj secilit prej shkelësve do të ndërmerren masa. /Telegrafi/

Foto: Arkiv