Kapitulli 35 ka të bëjë me çështjen e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me fqinjët, duke nënkuptuar praktikisht edhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Në lidhje me këtë profesori Seb Bytyqi, në RTV Dukagjini, ka thënë se e vetmja mënyrë që Serbia, ta mbyllë këtë kapitull është që ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj.
“Sa i përket kapitullit 35, është i qartë nuk mund t’i eliminojë kushtet e kapitullit 35 ndonjë marrëveshje tjetër, paraprake që bëhet. Kur të hapet kapitulli 35 për Serbinë e vetmja mënyrë si mund të mbyllet ai kapitull është nëse Serbia e heq Kosovën nga Kushtetuta, dhe i sqaron çështjet me Kosovën”, ka thënë ai.
Tutje, Bytyqi tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është pajtuar të mos e pengoj Kosovën të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.
Kundërshtimin për t’u anëtarësuar Kosova në OKB, sipas Bytyqit Serbia e bën sepse e di që Kosovës do t’i duhet kohë dhe nuk ka shumë gjasa të anëtarësohet.
Bytyqi u shpreh se tashmë është bërë rregull që Serbia të mos i respektojë marrëveshjet me Kosovën.
“E dimë pas çdo marrëveshje pothuajse brenda 24 orëve është si rregull se Serbia e shkelë atë marrëveshje, kjo është e pritur, presim që edhe në të ardhmen mos ti respektojë, nuk ka asgjë të re aty”, ka thënë ai.
Sipas tij, një nga kushtet e implementimit të planit evropian është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ai tha se pritet presion nga ShBA dhe BE, në mënyrë që marrëveshja të zbatohet sa më parë.