Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, raportoi sot para Komisionit Parlamentar për Arsim për mbarëvajtjen e Maturës Shtetërore 2018 dhe për tema tjera.
Bytyqi i njoftoi anëtarët e Komisionit Parlamentar për ecuritë dhe administrimin e Testit të Maturës, me ç‘rast theksoi se menaxhimi i këtij testi, të organizuar për herë të parë në katër regjione, e ka lehtësuar punën dhe ka pamundësuar parregullsitë në masë të konsiderueshme.
“Mendoj se është arritur qëllimi primar i ndarjes në katër regjione të mbajtjes së Testit të Maturës, i cili kishte për synim të menaxhohet më mirë dhe dukuritë negative që kanë ndodhur në të kaluarën të mos na përsëriten“, tha ai.
Sipas tij, mbajtja e testit në katër regjione ka ndikuar që testi sivjet të jetë më pozitiv se herët tjetra.
“Nëse do të bënim një përkufizim të përgjithshëm, them se rezultatet e Testit të Maturës, do ta kenë një përqindje më të lartë të realitetit, apo besueshmërisë se sa ka qenë në vitet e kaluara“, theksoi ministri Bytyqi.
Ndryshe, këtë vit testit i janë nënshtruar 27.737 nxënës, ndërsa për shkak të parregullsive janë përjashtuar 56 nxënës dhe 8 administratorë, ndërsa nxënësit e përjashtuar do të kenë të drejtë testimi në afatin e dytë.
Foto: Arkiv