Site icon Telegrafi

Bytyqi: Nuk do të ketë përfitime partiake në iniciativën “Për atdheun me dashuri”

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi në një shkrim në Facebook shpërndau disa informacione në lidhje me platformën #PërAtdheunMeDashuri, për të cilën gjatë ditëve të kaluara u hap polemikë e madhe në publik. Potencoi se planifikojnë që në të t’i përfshijnë të gjithë ekspertët e interesuar relevant për tema me interes, por se nuk do të lejojnë, siç tha, kurrfarë komprometimi të kësaj iniciative fisnike, e as ndonjë përfitim partiak-politik.

Siç shkruan Bytyqi, anëtarë aktivë të platformës për momentin janë: Agim Mamuti; Bllagica Petreski; Borçe Trenovski; Borëe Smilevski; Boris Eftimovski; Vanço Uzunov; Vele Samak; Visar Ademi; Veland Ramadani; Viktor Mizo; Goran Rafajlovski; Zoran Koçoski; Igor Ivanovski; Igor Andreev; Kosta Petrov; Lupço Zikov; Marian Petreski; Nikica Mojsovska Blazheska Nikolla Popovski; Nina Fiti; Olimpia Zaevska Hristova dhe Sasho Qosev.

Bytyqi sqaron se bëhet fjalë për trup joformal, gjegjësisht platformë për diskutim me njerëz të cilët mund të japin mendimin e tyre, këshillë ose ekspertizë që të arrijmë propozime dhe politika më cilësore. Ata, thotë, nuk janë të angazhuar profesionalisht si këshilltarë në kabinetin tim ose në Qeveri, e as mendimet e tyre janë të detyrueshme për Qeverinë e as që do të marrin ndonjë kompensim.

Krahas këtij grupi joformal, thekson zëvendëskryeministri, për çdo ditë flas me përfaqësues të ndryshëm të bashkësisë së biznesit, akademikë, qytetarë. Edhe kërkesat dhe mendimet e tyre ndikojnë në propozimet të cilat pastaj ne i japim dhe i miratojmë si Qeveri. Gjithsesi, Qeveria punon sipas metodologjive të saja të qarta dhe secili diskutim dhe konsultim të cilin e bëjmë ne si përfaqësues politikë, në fund do të shndërrohej në propozim vendim të caktuar, politikë, strategji, plan aksional dhe për të gjithë këtë me kohë është informuar publiku.

“Përbërja e #PërAtdheunMeDashuri është fluide, gjegjësisht do të ndryshojë varësisht temës. Në takimin e parë kishte më shumë se 20 ekspertë ekonomikë nga sfera të ndryshme. Tani tashmë janë paraqitur edhe dhjetë të tjerë që do të dëshironin të merrnin pjesë në mbledhjet e ardhshme”, informoi Bytyqi.

Shton se ekspertët e pranishëm në takimin e parë inicues të platformës “Për Atdheun Me Dashuri” janë profesionistë vendorë nga disa sfera të ndryshme ekonomike, të cilat janë të gatshëm ta vendosin kapacitetin e tyre në funksion të shtetit. Ata, potencoi, vijnë nga shkolla të ndryshme politike, por e përbashkëta për të gjithë ata është se janë të hapur për bashkëpunim dhe këshilla në interes të zhvillimit të përshpejtuar ekonomik, planifikim afatgjat të zhvillimit të sistemit ekonomik dhe të mirës së shtetit. Anëtarët e platformës “Për Atdheun Me Dashuri” këtë e bëjnë vullnetarisht unë jam mirënjohës që gjithë këta persona shfaqën gatishmëri pro-bono të ndajnë kohë dhe të japin këshillë, koment, mendim ose ide në interes të vendit tonë. Tani për tani dinamika e planifikuar e mbledhjeve është një herë në muaj.

Exit mobile version