Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka mbajtur konferencën e fundvitit me gazetarë, ku ka shpalosur siç tha të arriturat dhe sfidat e punës së njëqind ditëshit të punës së tij si ministër i Arsimit.
Ministri Bytyqi ka folur për të arriturat në arsimin parauniversitar, arsimin e lartë, shkencën dhe arsimin në diasporë.
Bazuar në programin e Qeverisë 2017-2021, ministri Bytyqi ka theksuar se, një ndër prioritetet është edhe zhvillimi i mësimit në një ndërrim, vlerësimi i kapaciteteve ekzistuese të objekteve shkollore dhe hapësirave shtesë të nevojshme.
Sa i përket angazhimit të MAShT në sigurimin e cilësisë, ministri Bytyqi, ka përmendur përgatitjet për pjesëmarrje në vlerësimin ndërkombëtar TIMSS dhe formimin e Komisionit për Testin PISA, me qëllim që të ngritet niveli i përgjegjësisë së Drejtorive Komunale të Arsimit dhe nxënësit të kenë sa më shumë informacione rreth përmbajtjes dhe rëndësisë.
Ndër të tjera, ministri Bytyqi ka përmendur edhe inicimin e debatit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Drejtorive Komunale të Arsimit dhe përfaqësueseve të Fakultetit të Edukimit, për profilizimin e mësuesve të klasave 1-5.
Duke folur për të arriturat në arsimin parauniversitar, ministri Bytyqi ka folur për rritjen e përfshirjes dhe mundësive të barabarta për zhvillim, aftësim dhe arsim të çdo individi, hartimin e programit të edukatoreve, të cilat punojnë me fëmijët 0-3 vjeç, plotësimit të infrastrukturës ligjore, mbështetjen e komuniteteve pakicë, parandalimin e braktisjes, përfundimin e investimeve në dy objekte të reja shkollore dhe renovimin e një shkolle, si dhe organizmin e fushatave për ngritje të cilësisë në arsimin.
Ndërkaq, sa i përket arsimit të lartë dhe shkencës, ministri Bytyqi përmendi avancimin e Sistemit të Menaxhimit të Informatave në Arsim, planifikimin për ndarjen e bursave për studentët elitar në disa programe deficitare, bashkëpunimin ndërkombëtar përmes programeve HERAS, CEEPUS, ERASMUS +, Programin Horizon 2020 dhe projekte të tjera të rëndësishme, të cilat mbështeten nga Banka Botërore, UNICEF dhe organizata të tjera ndërkombëtare. /Telegrafi/