“Kemi pasur dy momente kyçe në shtet, të cilat nuk më japin fare arsye të besoj se do të kemi qeverisje të mirë. Betimi i presidentes ishte shkelje e Kushtetutës, dhe deklarata e Kryetarit të Kuvendit ishte shkelje e ligjeve. Nëse mosrespektimi i Kushtetutës dhe ligjeve nga përfaqësuesit më të lartë të pushtetit është një dukuri normale, atëherë karakteristikë e tyre do të jetë mosrespektimi i sundimit të ligjit”.
Këtë e tha deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyqi në “Klan Maqedoni”. Ai iu referua edhe njoftimit të liderit të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski për kredinë prej një miliard eurosh, të cilin e vlerësoi si shkelje të parimit të qeverisjes së mirë.
“Si ka mundësi që një lider i opozitës të negociojë për kredi, nuk ekziston askund në botë. Nuk është parim i mirëqeverisjes, është përtej menaxhimit institucional të shtetit, ai nuk ka mandat të negociojë për kredi larg syve të publikut”, tha Bytyqi.
Bytyqi sqaroi se nuk mund të thuhet se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, kur njëri nga partnerët e koalicionit të OBRM-PDUKM-së e ka vënë si kusht integrimin evropian të shtetit.