Telegrafi

Bytyqi nga Brukseli: Zgjedhja dhe rruga janë të qarta, Maqedonia e Veriut plotësisht e integruar në Bashkimin Evropian

Zv.kryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ka përfunduar vizitën zyrtare treditore në Bruksel, gjatë së cilës Republika e Maqedonisë së Veriut ka hapur skriningun bilateral nga kapitujt 9 – Shërbimet financiare dhe 28 – Të drejtat e konsumatorit dhe shëndeti publik nga Klasteri 2 – Tregu i brendshëm, i cili është një nga klasterët bartës për shkak të madhësisë dhe rëndësisë së tij, sepse përmban kapitujt mbi 4 liritë themelore të cilat janë baza e marrëveshjes së themelimit të Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se procesi integrues i vendit është stabil dhe se zgjedhja është e qartë, Maqedonia e Veriut është plotësisht e integruar në Bashkimin Evropian, konstatim i cili ka dalë nga takimi me komisionerin evropian për ekonomi, financa, tatime dhe dogana, Paolo Xhentiloni, me të cilin pati një takim gjatë vizitës së punës në Bruksel.

Bytyqi theksoi se Xhentiloni konfirmoi përkushtimin dhe qëndrimin e Komisionit Evropian se Maqedonia e Veriut është me rëndësi strategjike për Bashkimin.