Site icon Telegrafi

Bytyqi: Na duhet plan për kthimin e studentëve nga Amerika

Pasi vizitoi panairin e tretë universitar “Education USA”, ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Greg Delawie, ka deklaruar se kjo është mundësi e mirë që studentët të takohen dhe krijojnë kontakte me përfaqësuesit e universiteteve amerikane.

“Njoh shumë studentë që kanë studiuar në Amerikë dhe janë kthyer këtu, ndërsa kontributi që japin pas kthimit në Kosovë është jashtëzakonisht i madh. Aftësitë e të menduarit kritik dhe lidhjet globale që ata i bëjnë jashtë vendit, i shfrytëzojnë në pozita udhëheqëse, biznes, qeveri dhe komunitetin e tyre”, ka theksuar Delawie.

Në panair i pranishëm ishte edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i cili theksoi atë që duhet bërë si shtet pasi studentët kosovarë i përfundojnë studimet në SHBA.

“Ne kemi studentë të mire, por duhet t’u krijojmë kushte që ata të arrijnë sukses. Është mirë që të rinjtë tanë të shkojnë në këto vende, sepse këto universitete janë shumë larg universiteteve tona, por kthimi i tyre do të ishte i mirë sepse duhet të bëjmë përpjekje edhe t’i kthejmë, jo vetëm t’i dërgojmë atje. Ne duhet të kemi plan nacional për kthimin e tyre”, tha Bytyqi. /Telegrafi/

Exit mobile version