Site icon Telegrafi

Bytyqi: Ministria e Arsimit nuk ka autoritet të ndërhyjë në vendimet e Këshillit të Cilësisë

Ministri i Arsimit, Shqyqiri Bytyqi ka thënë se dikasteri që drejton po e monitoron nga afër situatën e fundit, pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për mos-akreditimin e disa programeve.

Një situatë e tillë ka bërë që të gjitha Universitetet publike në vend të hyjnë në grevë, duke kërkuar edhe shkarkimin e ministrit Bytyqi.

Por ky i fundit në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Ministria e Arsimit nuk ka të drejtë të ndërhyjë në vendimit e këtij Këshilli.

“Pa dashur të paragjykojmë vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ne si MASHT nuk e kemi as autoritetin ligjor, as vullnetin politik, të ndërhymë në vendimet e këtij Këshilli si një institucion me pavarësi vendimmarrëse. Aktualisht, vendimet e fundit të KSHC, kanë rezultuar me mos akreditimin e një numri të konsiderueshëm të programeve në Arsimin e Lartë, çka ka rezultuar me shprehjen e pakënaqësive nga përfaqësuesit e IAL”, ka shkruar Bytyqi.

Postimi i plotë:

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, po monitoron nga afër situatën e fundi të krijuar pas vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe nga ana tjetër pakënaqësitë e kundërshtimet e shprehura nga Rektorët e Universiteteve Publike dhe Bartësit Privat të Arsimit të Lartë.

Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë u nënshtrohen kritereve ligjore të paracaktuar dhe KSHC është i autorizuar të veproj për akreditimin e programeve në Universitete Publike dhe Kolegje Private përkitazi me legjislacionin në fuqi.

Aktualisht, vendimet e fundit të KSHC, kanë rezultuar me mos akreditimin e një numri të konsiderueshëm të programeve në Arsimin e Lartë, çka ka rezultuar me shprehjen e pakënaqësive nga përfaqësuesit e IAL.

Pa dashur të paragjykojmë vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ne si MASHT nuk e kemi as autoritetin ligjor, as vullnetin politik, të ndërhymë në vendimet e këtij Këshilli si një institucion me pavarësi vendimmarrëse.

Praktika institucionale në Kosovë edhe brenda Ministrisë së Arsimit, ka mekanizma të mjaftueshëm ligjorë për të kundërshtuar një vendim, kur beson se ai është i gabuar. Në rastet kur Universitetet Publike apo Kolegjet Private, besojnë se KSHC nuk ka zbatuar kriteret dhe standardet e parapara me legjislacionin në fuqi, ato mund të bëjnë ankesë dhe të dorëzojnë argumentet e tyre.

Ne ju bëjmë thirrjen Rektorëve si përfaqësues dhe përgjegjës për Universitetet përkatëse, të ndjekin rrugët ligjore dhe përmes ankimimit në Komisionin e Ankesave në KSHC, të dëshmojnë se plotësojnë kriteret dhe standardet e parapara me rastin e akreditimit të një programi.

Vendimet e KSHC-së mund të rishqyrtohen vetëm pas ankimimit në Komisionin e ankesave të këtij Këshilli. Çdo rrugë tjetër është e gabuar dhe MASHT e ka të pamundur të ndërhyj.

Në fund dua të falënderoj për mbështetjen miqtë ndërkombëtar, veçanërisht Ambasadorin ShBA-së, z. Kosnett, Ambasadoren e BE-së, znj. Apostolova, Ambasadorin e Gjermanisë z. Heldt, Ambasadorin e Britanisë, z. O’Connell si dhe Kryeministrin, z. Haradinaj e Zëvendëskryeministrin, z. Limaj për kontributin dhe angazhimin e vazhdueshëm në fuqizimin e sistemit tonë arsimor.

Dua t’i garantoj të gjithë se do të mbetem i përkushtuar në sigurimin e pavarësisë vendimmarrëse të Institucioneve të Pavarura brenda dikasterit që drejtoj dhe në asnjë formë nuk do të lejojmë të cenohet puna dhe angazhimi i përbashkët për të rritur cilësinë në sistemin tonë arsimor.

Exit mobile version